Na vjen keq, por ju nuk keni asnjë produkt në shportën tuaj të blerjes.

Antarësohu në

Vlerat e frutave dhe perimeve sipas ngjyrave

Një dietë e shëndetshmë konsiderohet një dietë e balancuar. Edhe brenda një grupi ushqimesh, siç janë frutat dhe perimet, marrja e balancuar e tyre është kusht për një shëndet të mirë. Kjo sepse frutat dhe perimet e një ngjyre të caktuar kanë veti terapeutike të njëjta ose të ngjashme me njëra-tjetrën për shkak të përbërjes së njëjtë ose të përafërt. Kështu, secili spektër i ngjyrave përmban një grup të caktuar vitaminash, mineralesh dhe fitonutrientësh.

Specialistët theksojnë se konsumimi i frutave dhe zarzavateve në ngjyra të ndryshme mundëson ushqyerjen e trupit në sasi të mjaftueshme dhe të shëndetshme me proteina, vitamina, fibra, minerale, acide yndyrore dhe nutrientë të tjerë të nevojshme për organizmin e njeriut. Sipas studimit të publikuar në vitin 2006 në revistën amerikane Nutrition, shkruhet se marrja e sasive të pakta të vitaminave dhe mineraleve të marra nga burime të ndryshme të frutave dhe perimeve është më e dobishme se konsumimi i një lloji të caktuar zarzavatesh. Për këtë arsye, Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, nënvizon rëndësinë e zgjedhjes së llojeve të ndryshme të frutave dhe perimeve sipas ngjyrave. Është e rëndësishme të theksohet se nuk ka epërsi të një ngjyre në krahasim me një ngjyrë tjetër. Ndryshe nga ajo që besohej më parë, sipas studimeve të fundit, ngjyra nuk ka ndikim në vlerat ushqyese. Frutat dhe perimet e bardha janë njëlloj të rëndësishme me ato të kuqe dhe frutat dhe perimet blu janë po aq të rëndësishme sa të verdhat, e kështu me rradhë. Efikasiteti i madh i tyre do të duket qartë në balancën e plotë të marrjes nga i gjithë spektri i ngjyrave.  


Frutat dhe Perimet e Kuqe
 

Frutat dhe perimet e kuqe janë të tilla për shkak të pranisë me shumicë në to të disa lloj antioksiduesve, veçanërisht likopenit, një prej antioksiduesve më të mëdhenj. Si përfaqësues kryesorë të frutave dhe perimeve të kuqe janë domatja dhe shega. Vetitë antioksiduese të frutave dhe perimeve të kuqe përmbajnë këto efekte terapeutike:   Antikolesterol. Dietat me prani të shumtë të frutave dhe perimeve të kuqe zvogëlojnë rolin mjaft e faktorëve të riskut në sëmundjet kardiovaskulare. Me këtë veti është i lidhur efekti i kurues i likopenit për sëmundjet e sistemit kardiovaskular dhe sëmundjet neurodegjenerative. Kështu, konsumimi i rregullt i domates ul deri në 50% faktorët e riskut në sëmundjet kardiovaskulare. Kjo për shkak se përbërësit e domates, sipas studiuesve, arrijnë të kontrollojnë LDL-kolesterol (kolesterolin e keq), duke mos lejuar oksidimin e tij si dhe zvogëlon dëmin ndaj endotelit – pëlhura e butë që vesh arteriet. Gjithashtu, domatja përmban lëndën e quajtur rutinë, e cila është e domosdoshme për të forcuar kapilarët. Të njëjtat efekte antikolesterol si domatja ka edhe shega. Lëngu i shegës është mjaft efektiv në pakësimin e kolesterolit për shkak të pranisë në të të disa polifenoleve, të cilat janë antioksidues mjaft të fortë. Një gotë në ditë me lëng shege parandalon formimin e pllakëzave sklerotike.    Gjithashtu, shega është mjaft e efektshme ndaj hipertensionit. Sipas studimeve, të sëmurët me hipertension që pinin lëng shege kishin një përmirësim të presionit të gjakut qysh në javën e parë të fillimit të trajtimit në dallim nga ata që pinin thjesht ujë. Përveç kësaj, tek këta konsumatorë u vu re një shtim i elesticitetit të mureve arteriale, gjë që tregon për efektet antikolesterol të këtij fruti. Eksperimenti i kryer mbi qelizat njerëzore të marra nga arteriet koronare dhe te minjtë me nivele tepër të larta kolesteroli në gjak, kanë treguar se lëngu i shegës pengon veprimin e ELK-1 e p-JUN, që janë dy gjene të njohur për favorizimin e formimit të pllakëzave në enët e gjakut dhe ndihmon për aktivizimin e substancave oksiduese.  


Antikanceroz

Antioksiduesit luftojnë radikalet e lira, të cilat janë molekula shumë reaktive që hyjnë në veprim me molekulat e strukturave qelizore, duke i shndërruar qelizat në kancerogjene. Radikalet e lira formohen si pasojë e ekspozimit ndaj një numri të madh të faktorëve të riskut, si psh. ushqimet që konsumojmë, ndikimi i reagentëve ambientalë në organizëm, etj. Këto radikale sulmohen prej antioksiduesve, duke mos lejuar që ato të zhvillohen dhe të krijojnë faktorë kancerogjenë. Sipas studimeve, konsumi i rregullt i domates ul tri herë faktorët e riskut të kancerit të prostatës, zorrës së trashë, mushkërive, pankreasit, kokës, gjirit, qafës, etj. Përveç kësaj, fuqia antioksiduese e domates është mbrojtëse mjaft e mirë kundër rrezeve ultraviolet, duke parandaluar kanceret e lëkurës. Efekte mjaft të mira antikancerogjene është vënë re edhe tek shega. Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Kalifornisë, nga hulumtime të kryera, disa përbërës të lëngut të shegës ndalojnë ndarjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene. Studimi u përqendrua në qelizat e kancerit të prostatës, të cilat kishin më shumë gjasa të përhapeshin, por qelizat e personave të trajtuar me lëng shege kishin më pak mundësi të realizonin ndarjen.  

Antiplakje

Karakteristika themelore e plakjes është oksidimi i mikroelementëve. Me kalimin e kohës, mikroelementët në organizmim njerëzor oksidohen, duke krijuar karakteristikat dhe tipologjinë e plakjes. Prania e antioksiduesve e kundërshton procesin e oksidimit të mikroelementëve, duke ruajtur vitalitetin dhe gjeneruar organet e indet në organizëm, si zemra apo lëkura. Për të pasur gjithmonë një lëkurë të re dhe të freskët, të pakta janë farmakogjenët me efektë më të mëdha gjeneruese se lëngu i domates.   Efekte të mira antiplakje janë zbuluar edhe tek shega. Për shkak të pranisë së polifenoleve, të cilat janë vërtetuar se luftojnë plakjen, besohet se shega ka veti të tilla. Gjithashtu, shega parandalon sëmundjen e Alzheimerit. Nga studimet e kryera në kafshë eksperimentale, është vërtetuar se shega mund të ndihmojë përmirësimin e mënyrës së sjelljes së personave të diagnostikuar me Alzheimer.  


Antiinflamator

Studiuesit e universitetit të Newcastle në Mbretërinë e Bashkuar të udhëhequr nga dr. Paul Foster, kryen një studim te kafshët për të vlerësuar efektet e likopenit mbi sëmundjet alergjike respiratore. Nga studimi u arrit në konkluzionin se lënda likopen-karotenoid, arrin të kontrollojë inflamacionin e mushkërive dhe të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të astmës. "Ky studim paraqet prova që plotësojnë të dhënat dietike të likopenit para dhe gjatë fillimit të sëmundjeve alergjike të rrugëve të frymëmarrjes, duke vërtetuar se kjo lëndë mund të jetë me dobi klinike në reduktimin e infiltrimit në mushkëri", pohon studiuesi dr.Paul Foster. Efekte mjaft të mira ka grupi i frutave dhe perimeve të kuqe për forcimin e sistemit imunitar për shkak të pranisë së vitaminave A dhe C. Domatja, përveç likopenit, përmban në sasi të shtuar edhe vitaminën C, e cila forcon sistemin imunitar të trupit, e mbron atë nga infeksionet dhe pneumonitë e ndryshme. Kjo për shkak se domatja përmban një lëndë organike me veti të forta antibiotike e quajtur tomatinë. Kjo lëndë ndihmon në shërimin e plagëve të infektuara dhe ulçerave. Mjaft rezultative janë kurat me domate për të sëmurët me infeksione në traktin urinar. Vetitë antiinflamatore janë zbuluar edhe tek shega. Shega ul inflamacionin dhe mund të ndalojë dëmtimin e kërcit. Kjo ndihmesë e shegës vjen në pah veçanërisht te personat që vuajnë nga artriti, pasi parandalon fillimin dhe përkeqësimin e kësaj sëmundje. Shega e bën këtë duke ndaluar mbiprodhimin e citokineve, të cilat, kur prodhohen me tepri, janë përgjegjëse për inflamacionin dhe shkatërrimin e indeve. Përveç shegës dhe domates, edhe frutat e kuqe si boronicat, luleshtrydhet, bostani apo qershitë përmbajnë lëndë të rëndësishme me efekt antioksidues, të cilat mbrojnë organizmin nga radikalet e lira, duke parandaluar sidomos sëmundjet kardiovaskulare dhe tumoret. Luleshtrydhet përmbajnë një lëndë të quajtur antosianin, e cila mbron indet muskulare nga degradimi prej disa sëmundjeve që i kërcënojnë ato. Edhe perimet e tjera të kuqe si çikoret, speci i kuq, lakra e kuqe dhe panxhari konsiderohen mjaft të vlefshme për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.  


Frutat dhe Perimet e Gjelbra  

Frutat dhe Perimet e gjelbra janë të tilla për shkak të pranisë të madhe në to të klorofilit, i cili është një detoksifikues dhe, sipas studimeve, mendohet edhe si substancë me veti antikanceroze. Të gjitha frutat dhe zarzavatet jeshile ndihmojnë në rigjenerimin e qelizave dhe zhvillimin e tyre. Perimet dhe frutat me ngjyrë të gjelbër si spinaqi, sallata jeshile, qepa e njomë, preshi, speca jeshile, gjethet e panxharit të kuq, asparagu, brokoli, karçiofi, kastraveci, kivi, avogadoja, si dhe barishtet të tilla si majdanozi, rukola, kopra, borziloku, janë një burim i konsiderueshëm i vitaminës B (një lloji të veçantë të quajtur folaten), vitaminës C dhe hekurit. Gjithashtu, frutat dhe perimet jeshile janë të pasura me magnez, i cili është shumë i rëndësishëm për asimilimin e kripërave minerale, si potasi, kalciumi dhe fosfori. Prania e acidit folik në frutat dhe perimet jeshile i bën ato mjaft të mira për një dietë ushqimore gjatë shtatzënisë si dhe ndihmojnë në funksionet e rruazave të kuqe të gjakut.   Përfaqësuesi kryesor i këtij grupi është spinaqi. Spinaqi përmban proteina, karbohidrate, acid oksalik, acid folik, vitaminat C, A, B, D, K, kripëra të shumta minerale, ku më të spikatura janë ato të kaliumit, kalciumit, fosforit, natriumit, magnezit si dhe oligoelementet e bakrit, zinkut, hekurit jodit dhe manganit. Spinaqi konsiderohet si mbreti i perimeve me përbërës mineralë. Për shkak të pasurisë së saj të madhe në fitonutrientë, spinaqi përdoret për parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve të tilla si anemitë, konstipacionin, sëmundjet e traktit tretës, hepatitet, hipertensionin, diabetin, etj. Gjithashtu, spinaqi përdoret për forcimin e sistemit skeletiko-muskulor, pastrimin e gjakut, ndihmon në funksionet e rruazave të kuqe dhe zhvillon organizmin e fëmijëve. Një rol mjaft të rëndësishëm në këtë grup luajnë kivi dhe avogadoja. Kivi ka efekte të fuqishme terapeutike si vetitë antiseptike, forcon sistemin imunitar, hidraton lëkurën, është antirrudhë, etj. Kjo për shkak të përbërësve të saj, si vitamina C dhe E, kaliumit, bakrit, magnezit dhe manganit. Efekti terapeutik i avogados vihet re tek personat me nivel të lartë kolesteroli në gjak. Kjo sepse avogadoja shton dhe përmirëson përthithjen e karotenoideve, si likopenet, si dhe zvogëlon nivelin e kolesterolit të keq duke rritur nivelin e kolesterolit të mirë.  


Frutat dhe Perimet e Verdha  

Spektri i ngjyrës së verdhë, (që përfshin edhe ngjyrën portokalli) dallohet për nivelin e lartë të betakarotenit, i cili është një antioksidues i fortë dhe sintetizues i vitaminës A, vitaminë esenciale për parandalimin e kataraktit të syrit dhe verbërisë. Betakaroteni është një përbërës mjaft i rëndësishëm me veti antikanceroze, ndihmon në mbrojtjen ndaj sëmundjeve të zemrës dhe shpërbërjes molekulare duke ruajtur e forcuar indet, përforcon sistemin imunitar dhe shikimin. Në grupin e frutave dhe perimeve të verdha futen përfshihen karota, kungulli, portokallja, mandarina, qitroja, pjeshka, kajsia, etj. Përfaqësuesja kryesore e këtij grupi është karota. Karota është një bimë jashtëzakonisht ushqyese e cila përmban vitaminat A, B1, B2, B6, C, mineralet kalcium, potas dhe kalium.    Karota përdoret në mjekësinë alternative për kurimin e reumatizmës, diabetit, diarresë (tek fëmijët), zgjerimin e enëve koronare, mëlçisë, veshkave, anemisë, rigjenerimin e mukozës së stomakut tek pacientët me ulçer, etj. Ajo këshillohet edhe për zhvillimin e përgjithshëm të trupit, përmirësimin e metabolizmit, dhe pasurimin e qumështit të gjirit tek nënat. Karota përmban përmban likopene që ngadalësojnë plakjen qelizore, ndikojnë pozitivisht në parandalimin e patologjive kardiovaskulare parandalojnë disa tipe tumoresh si: tumori i prostatës, tumori i gjirit dhe i tumori i mushkërive. Prania e karotenoideve tek karota ndikon në uljen e rrezikut të sëmundjeve neurodegjenerative si Parkinsoni dhe Alzheimeri. Ato janë të pasura gjithashtu edhe me fibër, e cila i bën karotat një rregullator të shkëlqyeshëm për zorrët. Lëngu i karotës është një diuretik si edhe asnjanësues i hiperaciditetit të stomakut. Por spektri i ngjyrës së verdhë përveçse për betakarotenin, dallohet edhe për vitaminën C dhe flavonoidet në në sasi të madhe, të pranishme në agrume. Agrumet janë antitumorale dhe përmirësojnë funksionin e mëlçisë. Nga studimet e bëra nga Universiteti Western Ontario nëpërmjet eksperimenteve me kavie laboratorike është zbuluar se se mandarina mban peshën nën kontroll dhe ruan nivele optimale të kolesterolit, insulinës e glukozës në gjak duke reduktuar sulmet në zemër dhe tru si dhe mbrojtur organizmin nga sëmundja e sheqerit.  



Frutat dhe Perimet e Blu
 

Frutat dhe perimet blu përmbajnë në sasi të madhe pigmente antosiani, të cilat janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e njeriut, veçanërisht për luftën e tyre ndaj kancerit të kolonës. Në spektrin e ngjyrës blu futen fruta dhe perime të tilla si boronica, fiqtë, patëllxhani, manaferrat, kumbullat, frutat e pyllit, etj. Një nga frutat tipike të këtij spektri është boronica. Boronicat përmbajnë një përbërës antioksidant shumë të fuqishëm të quajtur pterostilben, i cili ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit, kontrollin e tij në nivelet e duhura, si dhe mbrojtjen nga radikalet e lira. Katekini, i cili është përbërës tek ky frut, aktivizon genin për djegien e yndyrave në qelizat yndyrore të abdomenit. Boronicat gjithashtu shquhen për efektet e tyre mbrojtëse të trurit për shkak të përmbajtjes me shumicë në to e një grupi të fitonutrientëve të quajtur proatocianide. Ky grup i mbron indet e trurit nga toksinat ambientale. Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Harvardit më 2012, një racion boronica në ditë forcojnë kujtesën dhe aftësitë motorike, pengojnë rënien e aktivitetit të trurit tek personat e moshuar, duke parandaluar sëmundjet e Parkinsonit dhe Alzhaimerit. Përveç këtyre përbërësve, boronica është e pasur me vitaminë C, E, riboflavinë, niancinë, acid folik, hekur magnez, mangan dhe kalium. Këto përbërësa i japin boronicës veti të shumta terapeutike si rigjenerues të indeve kockore, të lëkurës dhe enëve të gjakut, mbrojnë organizmin nga tumoret, ulin rrezikun nga diabeti i tipit 2, forcojnë shikimin, etj.   Edhe frutat dhe perimet e tjera të këtij spektri kanë veti terapeutike të rëndësishme duke parandaluar rreziqet patologjike te enëve te gjakut dhe tumoreve, forcojnë kapilarët dhe evitojnë infeksionet në rrugët urinare. Tek patëllxhani, rrushi dhe kumbulla gjenden fibra dhe antioksidues që rigjenerojnë qelizat.  



Frutat dhe Perimet e Bardha
 

Edhe frutat dhe perimet e bardha nuk mbeten pas përsa i përket vlerave ushqyese dhe terapike. Në këtë grup bëjnë pjesë lulelakra, qepa, hudhra, kërpudha, banania, molla, patatja, dardha, etj. Perimet e bardha janë të pasura me fibra dhe kanë një grup mbrojtës të mikroelementeve si antoksantinë dhe alizinë të cilat të ndihmojë të shmangur kancerin, sëmundjet e zemrës, tonifikojnë organizmin, kanë veti antiseptike, ulin kolesterolin e keq dhe stabilizojnë tensionin. Në grupin e ngjyrës së bardhë, hudhra shquhet për vetitë e shumta terapeutike për shkak të përmbajtjes së saj të pasur me vajra eterike në të cilat gjenden substanca sulfurike. Vetitë antiseptike të hudhrës pastrojnë zorrët, ndalojnë diarrenë e shkaktuar prej baktereve, parandalojnë dhe kurojnë dizanterinë, turbekulozin, tifon dhe difterinë; hudhra ka efekte qetësuese për nervat, ul tensionin e gjakut, redukton kolesterolin e keq, stimulon funksionin e zemrës dhe aktivitetin e qarkullimit të gjakut, ndihmon në largimin e gurëve në veshka, zbut dhimbjet në veshkë, është efikase në shërimin e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes si kolla e keqe, përdoret si laksativ për të sëmurët me konstipacion, etj. Edhe qepa është një produkt shumë i shëndetshëm në përbërje të së cilës janë vitaminat B,C, vaji eterik sulfurik dhe kripërat minerale të fosforit, kalciumit dhe hekurit. Ashtu sikurse hudhra, qepa ka veti të theksuara antiseptike duke pastruar organizmin luftuar infeksionet, ul sasinë e sheqerit në gjak, parandalon koagulimin e gjakut, stimulon funksionin e sistemit nervor, të qarkullimit të gjakut, etj. Mjaft të rëndësishme për organizmin e njeriut është edhe molla. Konsumimi i mollës ul në mënyrë të dukshme rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe mban konstante vlerat e sheqerit në gjak. Molla mban kolesterolin në gjak në nivele të pranueshme duke parandaluar infarktet e zemrës dhe hemorragjinë cerebrale. Më specifike për këto lloj sëmundjesh është molla e ngjyrës së gjelbër. Frutat dhe perimet e e tjera të ngjyrës së bardhë si banania, patatja apo kërpudha janë nje burim i mire potasiumi. Përveç kësaj, kërpudha përmban dhe sasi të mjaftueshme vitamine B. Patatet përmbajnë niseshte, e cila është shumë e mirë për traktin tretës, pasi ka një efekt të madh mbrojtës kundër kancerit të zorrës. Patatet gjithashtu janë parandaluese të kolesterolit të lartë. Përveç këtyre efekteve, patatet janë një burim i mirë i vitaminës B.